Shërbimi i veprimit të Jashtëm i Bashkimit Evropian (EEAS) ka konfirmuar se përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, do të presë në takim të nivelit të lartë të dialogut, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 qershor në Bruksel.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell] dhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë takime të ndara me liderët duke nisur nga ora 15:00, për të pasuar me një takim të përbashkët trepalësh. Takimi do të shërbejë për të vlerësuar atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e përfaqësuesit të lartë dhe do të fokusohet në rrugën përpara”, u tha në njoftimin e BE-së.
Borrell pritet që të deklarohet për media pas takimit të së mërkurës.
Javën e kaluar, nga Qeveria e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se ky takim në Bruksel pritet të ketë fokus kryesor zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj “dhe rruga përpara”.
Për mbajtjen e rundit të ri të dialogut është rënë dakord gjatë vizitave që Lajçak zhvilloi në Kosovë dhe Serbi javën e kaluar.
Për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.
Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – në veri të Kosovës – duke vrarë një polic. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Që atëherë, pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit, Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes.
Kjo marrëveshje – e cila u arrit vitin e kaluar – nuk është nënshkruar nga palët, por BE-ja thotë se ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë. Kosova kërkon që të nënshkruhet marrëveshja, por Serbia refuzon një gjë të tillë.
Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
BE-ja – e cila që nga viti 2011 ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – ka kritikuar palët për moszbatimin e marrëveshjes.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si “Radio Evropa e Lirë”, bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë./REL