Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove.
Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim.
Më 11 nëntor, deputetët e kishin miratuar në lexim të parë këtë projektligj.
Vlera e projektbuxhetit për vitin 2025 është 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024, që kishte vlerën 3.3 miliardë euro.
Ku do të shpenzohet buxheti i vitit 2025?
Nga 3.5 miliardë euro sa parashihet të jetë buxheti i vitit të ardhshëm, pjesa më e madhe pritet të ndahet për kategorinë: subvencione dhe transfere.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se ky buxhet do sigurojë stabilitet ekonomik dhe mirëqenie për qytetarët.
Ndërkaq, partitë opozitare e kanë cilësuar “buxhet për mbijetesë”.
Për këtë arsye tri partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thanë më herët se nuk do ta votojnë projektbuxhetin dhe kanë braktisur seancën.
Gjatë seancës plenare, megjithatë disa deputetë të PDK-së u kthyen dhe paraqitën për votim amendamente të propozuara nga ta.
Pas votimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se buxheti ka pagat më të larta për sektorin publik, rritje të pensioneve dhe shtesa për fëmijë.
“Ky buxhet është i qytetarëve dhe për qytetarët e vendit. Është buxhet për ta rritur mirëqenien e për ta zhvilluar ekonominë”, tha ai.
Nga buxheti prej 3.6 miliardë euro, pjesa më e madhe është planifikuar të ndahet për kategorinë subvencione dhe transfere me mbi 1.1 miliardë euro, pasuar nga shpenzimet kapitale me mbi 930 milionë euro.
Projektligji për buxhetin 2025 duhej të miratohej më së largu deri në fund të këtij viti.
Pas votimit në Kuvend, Projektligji për buxhetin nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit dhe shpallet nga presidentja e Republikës.
Presidentja Vjosa Osmani, duhet ta nënshkruajë atë brenda tetë ditësh, pasi të ketë marrë ligjin. Nëse presidentja Osmani, brenda tetë ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.
Kështu që ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligjin nuk përcaktohet ndryshe./REL