Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kanë kaluar mbi 25 vjet nga lufta e fundit në Kosovë, ndërsa familjarët e më shumë se 1600 personave të zhdukur ende janë duke pritur përgjigje për fatin e tyre dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre.
Kjo ditë do të shënohet me disa aktivitete. Zyra e Kryeministrit, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, me rastin e Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë, mban homazhe te përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, te Kuvendi i Kosovës, në ora 10:00.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të enjten se kanë filluar përgatitjet për gërmime në lokacionin Kozhle në Serbi, në kërkim të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai i ka bërë këto deklarata në një debat të dedikuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë.
Duke folur për përgatitjet për gërmim në Kozhle, ai ka thënë se shpreson që kjo ”nuk është një përpjekje e re nga shteti serb për të evituar nga agjenda e gërmimeve lokacionet e tjera të shënjuara nëpër Serbi”.
Ai ka bërë thirrje edhe një herë që Serbia t’i hapë arkivat shtetërore.
Kurti ka thënë se Kosova ka bërë kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, “përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë”.
Ai ka përmendur se Serbia obligohet për hapje të arkivave edhe përmes një marrëveshjeje të arritur për këtë çështje, më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel.
“‘Nuk ka kufomë, nuk ka krim’, ishte strategjia e shtetit të Serbisë për fshehjen e krimeve të kryera mbi shqiptarët në Kosovë. Kjo strategji vazhdon të zbatohet edhe sot nga trashëgimtarë politikë të Millosheviqit në Beograd. Këtë javë pas shumë përpjekjeve kanë filluar përgatitjet për gërmime në Serbi, në Kozhle. Deri më tani shteti serb nuk ka ndarë të dhënat nga arkivat e tyre për këtë lokacion. Andaj ne edhe sot e përsërisim kërkesën tonë, për hapjen e arkivave në Serbi, në bazë të marrëveshjes së arritur më 2 maj 2023. Tashmë kemi dërguar disa kërkesa zyrtare për hapjen e arkivës së Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave, përgjegjëse për shumë masakra në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës”, tha kreu i Qeverisë.
Kurti theksoi se Qeveria është e përkushtuar për të kërkuar drejtësi për viktimat.
“Si Qeveri ritheksojmë zotimin për të mos rreshtur së kërkuari drejtësi për viktimat, për 1595 personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit. Kriminelët serb të luftës duhet të përballen me drejtësi, sepse këto krime sikur që nuk vjetërohen, as nuk falen”, tha Kurti. /Reporteri