Kosova feston sot 16 vjet shtet

Kosova feston sot 16 vjet shtet

Sot bëhen 16 vjet që kur Kosova u shpall shtet i pavarur.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, shkruan “Epoka e re”.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe presidenti i Kosovës, në mbledhjen e mbajtur në Prishtinë, më 17 shkurt të vitit 2008.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.

SHBA-ja e njohu pavarësinë e Kosovës një ditë pas shpalljes së saj. Po atë ditë, shteti më i ri u njoh edhe nga Shqipëria, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Afganistani e kështu me radhë.

Sot, lista e njohjeve, e publikuar nga Ministria e Jashtme e Kosovës, numëron 117 vende. Gati gjysma e tyre u siguruan në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.

Njohja e fundit që mori Kosova, ishte para tri vjetësh nga Izraeli. Para saj, për gati katër vjet, Kosova nuk u njoh nga asnjë vend.

Në mesin e vendeve që e njohin Kosovën, janë 22 nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe 26 nga 30 vendet anëtare të NATO-s.

Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme.

Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-1999).

Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të tensionuara.